Bien të ardhurat, zgjerohet defiçiti ndaj planit fillestar

09/09/2015 19:55

Defiçiti i të ardhurave totale ndaj planit fillestar të buxhetit arriti në 15.3 miliardë lekë në fund të tetëmujorit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gushti ka qenë një tjetër muaji me ecuri të dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Sipas Financave, defiçiti nga tatimet dhe doganat u zgjerua në 18.5 miliardë lekë ndaj planit fillestar, ku zërat me ecurinë më problematike mbeten sërish akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.

Ministria e Financave ende nuk e ka bërë publik planin e detajuar të buxhetit pas rishikimit të tij.

Megjithatë, deri në fund të gushtit mosrealizimet kanë konsumuar thuajse të gjithë shkurtimin në planin e të ardhurave, duke vënë në rrezik edhe realizimin e buxhetit të rishikuar.

Qeveria shpreson në përmirësimin e ndjeshëm në mbledhjen e taksave, veçanërisht në muajt e mbetur të vitit për shkak të aksionit kundër informalitetit.

Sipas kryeministrit Rama, aksioni në terren ka filluar të japë rezultate brenda pak ditësh, ku vetëm për javën e parë të shtatorit vlera e tatueshme është rritur me mbi 20 për qind krahahsuar me vitin e kaluar.

Top Channel