12-vjeçarja gjeni, ia kalon edhe Einstein-it

10/09/2015 00:50

Mesa duket epoka e Albert Einstein po i lë vendin emrave të rinj, të cilët që në moshë shume të re kanë sfiduar inteligjencën e ikonave të shkencës botërore. Në një nga testet më të vështirë të inteligjencës, Ledia Sebastian, vetëm 12-vjeç ka kaluar pikët e shkencëtarëve Albert Einstein apo Stephen Hawking.

“Në fillim isha shumë nervoze, por më pas testi ishte më i lehtë nga çfarë unë e prisja”, u shpreh Ledia për britaniken “the Guardian”. Origjina e saj është indiane dhe lajmi për nivelin e inteligjencës së saj ka pushtuar edhe shumë media vendase.

“The Times of India” shkruan se testi kishte përmbajtje logjike të fortë dhe numëronte plot 150 pyetje. Zgjuarsia e rrallë e 12-vjeçares e ka kthyer atë në një nga gjenitë më të rinj në botë.

Por, ajo nuk është e vetmja. Ritesh Agarwal, po ashtu nga India, është themelues dhe shef ekzekutiv i “Oyo Rooms”, një rrjeti online me 2200 hotele që operon në 100 qytete të Indisë me të ardhura mujore që kapin shifrën e 3.5 milionë dollarëve.

Puna që djali ka arritur krejt i vetëm konsiston në përmirësimin e kushteve të hoteleve në vend, si dhe trajnon stafin e tyre. Pra, nëse një hotel, krahas vlerësimit me yje, ka edhe titullin “Oyo” atëherë ai është shumë herë më i besueshëm për klientët. Dhe si pjesë e biznesit, Agarwal ka ndërtuar edhe një aplikacion ku reklamohen hotelet në Indi.

Sikurse Ledia Sebastian edhe Ritesh, i kanë shfaqur prirjet e tyre që në moshë shumë të vogël, të dhënë pas matematikës apo lëndëve shkencore, ata kanë dëshmuar se nuk ishin njësoj si gjithë fëmijët e tjerë të brezit të tyre.

Top Channel