Dhjetë ditë para zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, 7 liderët e partive parlamentare greke kanë zhvilluar një debat televiziv të organizuar nga televizioni shtetëror.

Përballë gjashtë gazetarëve të njohur të kanaleve më të mëdha televizive, ata janë përpjekur që me akuzat ndaj rivalëve të tyre politikë mbi çështjen e përballimit të krizës ekonomike të bëjnë sa më shumë për vete votuesit e pavendosur.

“Me këtë marrëveshje arritëm të stabilizojmë ekonominë, duke siguruar financim deri në vitin 2019, me 86 miliardë euro, të cilat shkojnë kryesisht për pagesën e gjithë nevojave afatshkurtra të vendit, me interes shumë të ulët”, ka deklaruar kryetari i Syrizës, Aleksis Tsipras.

Por rivali kryesor i ish-kryeministrit Tsipras e ka akzuauar atë se me marrëveshjen që solli pas shtatë muajsh të qeverisjes së tij dëboi investitorët dhe krijoi më shumë papunësi në sektorin privat.

“Një marrëveshje gjithnjë gjykohet nga rezultati dhe rezultati është për fat të keq shumë më i dhimbshëm se ai që do të kishte qenë në janar, në shkurt apo në mars”, ka deklaruar Evangjelos Meimarakis, lider i Demokracisë së Re.

Debati është cilësuar i mërzitshëm nga analistët, pasi të gjithë liderët nuk kanë shprehur diçka të re përtej programeve të partive të tyre.

Më interesant pritet të jetë pas disa ditësh debati vetëm midis liderëve të dy partive rivale, Demokracia e Re dhe Syriza, të cilat sipas sondazheve përqendrojnë pothuajse të njëjtën përqindje të votuesve, ndërsa do të jenë të detyruara të qeverisin duke krijuar koalicion me partitë e vogla.

Top Channel