KE shqyrton listën e “vendeve të sigurta të origjinës”, mes tyre edhe Shqipëria

10/09/2015 00:00

Nga maji, kur u angazhua mbi axhendën europiane të migracionit, Komisioni Europian paraqiti ditën e mërkurë paketën tërësore të propozimeve ligjore, për trajtimin e krizës së refugjatëve te 28 vendet anëtare dhe më gjerë.

Paketa e shpalosur në Parlamentin Europian, gjatë fjalimit vjetor për “gjendjen e unionit”, do të shqyrtohet të hënën nga Këshilli i BE-së dhe, midis të tjerash, ajo përmban edhe “një listë të vendeve të sigurta të origjinës”, që sipas Presidentit të ekzekutivit europian Juncker, “kufizohet me vendet e Ballkanit Perëndimor e Turqinë”, për të dalluar azilkërkuesit e rremë nga njerëzit në nevojë.

60-vjeçari nga Luksemburgu sqaroi në Strasburg edhe faktin se nuk mund të flitet për anëtarësim në BE, kur një vend kandidat nuk është më pjesë e kësaj liste.

“Kjo është arsyeja, përse sot Komisioni propozon një listë të përbashkët në BE të vendeve të sigurta të origjinës. Kjo listë do t’u mundësojë shteteve anëtare të gjurmojnë shpejt procedurat e azilit për shtetasit e vendeve, që mendohen të sigurta për të jetuar në to. Ky supozim mbi sigurinë, në pikëpamjen tonë, duhet të vlejë sigurisht për të gjitha vendet, ndaj të cilave Këshilli Europian vendos njëzëri se plotësojnë kriteret bazë të Kopenhagenit për anëtarësim në BE, sidomos sa i përket demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtat themelore. Kjo vlen edhe për vendet e tjera potencialisht kandidate në Ballkanin Perëndimor, në kuptim të progresit të bërë prej tyre në drejtim të statusit të kandidatit. Unë jam sigurisht i vetëdijshëm se, lista e vendeve të sigurta është vetëm një thjeshtësim procedurash. Ajo nuk mund të heqë të drejtën themelore të azilit për azilkërkuesit nga Shqipëria, Bosnja, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Por, kjo i lejon autoritetet kombëtare të përqëndrohen tek ata refugjatë, që kanë më shumë gjasë për azil, sidomos ata nga Siria”, tha Jean-Claude Junker, President i KE-së.

Komisioni i referohet të drejtës ndërkombëtare për termin “vend i sigurtë origjine”, që konsiderohet i tillë “kur ekziston një sistem demokratik dhe përgjithësisht konsiston në mospersekutim, keqtrajtim çnjerëzor apo tortura, pa kërcënim dhune dhe konflikt të armatosur”, thuhet në dokumentin e posaçëm të Komisionit, që shpjegon dhe pse vendet kandidate quhen “të sigurta” me vlerësimin e vendeve anëtare të BE-së.

Burokratët e Brukselit sigurojnë se “nuk ka kthim në mënyrë automatike”. Sipas tyre, “kërkesa për azil e çdo qytetari trajtohet në mënyrë individuale dhe mbetet e drejta për të apeluar vendimin”.

Axhenda europiane e migracionit kujton se, gjatë 2014-s në BE u regjistruan 626 mijë e 715 azilkërkues dhe 283 mijë e 532 kalime të parregullta kufitare. 17% e numrit të përgjithshëm të aplikimeve erdhi nga këto 7 shtete, të cilat Komisioni i propozon në listën e vendeve të sigurta të origjinës.

Shqipëria, që sipas Komisionit konsiderohet vend i sigurt për 8 vende anëtare të BE-së, renditet e para ndër shtetet ballkanike të listuara, me 7.8% të kërkesave për azil të pranuara gjatë vitit 2014, e ndjekur nga Kosova, Bosnja, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia.

Krahas kësaj liste, paketa e Komisionit përmban një propozim emergjent për zhvendosjen e 160 mijë refugjatëve në tërësi, nga Italia, Greqia dhe Hungaria; një mekanizëm të përhershëm zhvendosës në një vend anëtar në rast emergjence, një udhëzues të përbashkët për riatdhesimet, një komunikatë për trajtimin e përmasave të jashtme të krizës së refugjatëve, një fond mirëbesimi për Afrikën (1,8 miliardë euro) dhe një komunikatë mbi rregullat e prokurimit publik për masat mbështetëse ndaj refugjatëve.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel