Bllokohen 600 tituj shkollorë, Rama: Mësuesit, në testim të vazhdueshëm

10/09/2015 12:20

Këtë vit të ri shkollor, komisionet e ngritura nga ministria e Arsimit kanë nxjerrë jashtë tregut të librit shkollor 600 tekste, të cilat kanë rezultuar jo cilësorë. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se nxënësit e klasave të para dhe të 6-shta do të kenë në duar libra shkollorë cilësorë, të cilat edhe këtë vit do të testohen.

“Sigurisht ky vit i ri shkollor fillon me sistemin tonë arsimor me 600 tekste të dala nga katalogu ekzistues dhe nga ana tjetër, me tekste të reformuara të klasës së parë dhe të gjashtë, nga ku do të përfitojnë 76 mijë nxënës. Ndërsa vitin e ardhshëm shkollor nga kjo reformë do të përfitojnë dhe rreth 11500 nxënës, sepse me të njëjtën metodologji ne do të përzgjedhim tekste shkollore të klasës së 2-të dhe të 7-të, dhe të vitit të parë gjimnaz e kështu me radhë, në vitin e ardhshëm. Në këtë mënyrë brenda tre viteve të përmbushim me tekste të reja cilësore, dinjitoze për fëmijët tanë, të gjithë sistemin e arsimit ”, tha ministrja Lindita Nikolla.

“Jo vetëm do të kenë tekstet më të mira që disponohen, të përmirësueshme në vazhdim pa asnjë pikë dyshimi, po më e rëndësishmja është që këtë vit ne vendosim gurët e themelit të një shtëpie tërësisht të re të arsimit në kuptimin e teksteve”, tha kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverise Edi Rama e ka cilësuar reformën në sistemin parauniversitar, e cila ka nisur me tekstet shkollore e do të pasohet nga trajnimi dhe testimi i vijueshëm i mësuesve, një revolucion në arsim. Çdo mësues do të ketë kartën e vet të krediteve që do ta mbrojë nga emërimet apo çemërimet politike.

“Synimi ynë është të arrijmë në pikën që çdo mësues të ketë kartën e vet të krediteve, pra, licencën që certifikon shkallën e kapacitetit çdo mësues. Kjo do t’i bëjë mësuesit njëherë e përgjithmonë të paprekshëm kur janë të duhurit, dhe të pamundur për të qënë mësues kur nuk janë të duhurit. Masat e marra dhe vënia në jetë e komisioneve të posaçme që do të ndjekin transparencën e procesit, nga testimi deri te emërimi, është një hap që mbyll një cikël historik dhe hap një cikël tjetër”, tha kryeministri.

Rama tha se brenda pesë vitesh nuk do të ketë më tekste klienteliste, por cilësore dhe bashkëkohore. Tekstet e reja do të jenë atraktive për nxënësit por edhe utilitare, pasi për herë të parë futet edhe lënda e sipërmarrjes, e cila i mëson të rinjve si të punojnë në tregun privat.

Top Channel