Refugjatët, në Hungari rrezikojnë krijimin e një krize humanitare

10/09/2015 12:00

Ushtria hungareze nisi përgatitjet për një rol të mundshëm në të ardhmen, që me të gjitha gjasat do ta shohë të përfshirë në mbrojtjen e kufirit jugor të vendit dhe frenimin e fluksit të emigrantëve.

Një gjë e tillë ishte lënë të kuptohej më parë nga Viktor Orban, e duket se nuk kanë qenë thjesht fjalë. Budapesti tani po planifikon realisht dërgimin e ushtarëve në ndihmë të forcave policore në kufi, ku çdo ditë mbërrijnë nga Serbia me mijëra emigrantë.

Një barrierë telash me gjemba është ngritur tashmë dhe, për kontrolle më të rrepta kufitare pritet të votohet më vonë gjatë muajit edhe në Parlamentin e vendit. Autoritetet hungareze presin një vërshim prej 40 mijë refugjatësh vetëm javën që vjen.

Një tjetër grup prej 2500 refugjatësh u nis mëngjesin e sotëm me traget nga ishulli i Lesbosit për në kontinent. Edhe Danimarka, që një ditë më parë mbylli linjat hekurudhore me Gjermaninë, e bllokoi përkohësisht edhe një autostradë, pasi policia tentoi të ndalonte me mijëra emigrantë që të mbërrinin prej andej në Suedi, sot trenat kanë rinisur qarkullimin, pasi një pjesë e të ardhurve pranuan të regjistrohen në shtetin danez. Të tjerë u larguan me makina.

Lumi i njerëzve që përplasen në portat e Europës me shpresën e një jete më të mirë, pasi kanë lënë pas luftrat dhe mjerimin në Afrikë e Lindjen e Mesme, këto javët e fundit është shtyrë gjithmonë e më në veri të kontinentit të vjetër.

Të merkurën, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker bëri publike planet e këtij organizmi për një përgjigje më të vendosur, të drejtpërdrejtë dhe efikase të krizës, përmes një sistemi kuotash të detyrueshme.

Në fjalimin vjetor, ai tha se zgjidhja e këtij ngërçi është tashmë çështje humaniteti dhe dinjiteti njerëzor.

Ndër propozimet e tij dallojnë: kërkesa që vendet anëtare të bllokut të pranojnë 120 mijë refugjatë shtesë, përpos 40 mijëve të caktuar në muajin maj; një skemë e përhershme rishpërndarjeje, e cila të ndihmojë në menaxhimin e situatave të ngjashme të krizës edhe në të ardhmen; një listë vendesh të origjinës së sigurtë, emigrantët e të cilëve duhet të kthehen mbrapsht – e këu bën pjesë edhe Shqipëria e Kosova; – përpjekje për të forcuar sistemin e përbashkët europian të azilit; rishikim të rregullores së Dublinit, si dhe menaxhim më të mirë të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.

Top Channel