Plani i KE-së për kuotat e detyrueshme, reagojnë vendet e BE-së

10/09/2015 12:55

Plani i propozuar nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për përballimin e krizës më të madhe të emigrantëve, që prej Luftës së Dytë Botërore, përfshin edhe një listë të veçantë të BE-së për 7 vendet që i përcakton si të sigurta: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Turqia.

Sipas propozimit, qytetarët e këtyre vendeve do të përballen me deportime me procedurë të përshpejtuar, nëse kërkojnë strehim në vendet e BE-së. Në bazë të propozimeve të reja, emigrantët ekonomikë, kërkesat e të cilëve për status emigranti do të dështojnë, do të kthehen mbrapsht më shpejt se të tjerët.

Plani i Junckerit gjeneroi reagime të ndryshme në kryeqytetet e vendeve europiane, me shtetet lindore që shprehën shqetësim lidhur me skemën e re te kuotave. Parisi i dha mbështetje planit, që parashikon shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve të tjerë në vendet e BE-së, duke thënë se do të pranojë 24 mijë refugjatë këtë vit, saktësisht shifra e propozuar nga Komisioni Europian.

Madridi, që fillimisht i cilësoi si shumë të larta kuotat për Spanjën, tha më vonë se do të pranonte çdo lloj numri që do t’i caktohej. Sipas planit të Junckerit, Spanja duhet të presë 15 mijë refugjatë.

Britania e Madhe dhe Irlanda njoftuan se do të presin respektivisht 20 mijë dhe 520 refugjatë, por nga kampet jashtë Europës. Vendet e Europës Qendrore, përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë kanë kundërshtuar idenë e kuotave të detyrueshme dhe kanë kërkuar, që qeveritë e çdo vendi të vendosin numrin e refugjatëve që do të pranojnë.

Kryeminstri çek, Bohuslav Sobotka tha se, kuotat e detyrueshme nuk ishin një zgjidhje e mirë. Sipas propozimeve të Junckerit, rishpërndarja e 120 mijë refugjatëve të tjerë do të bëhet përmes një formule, që do të marrë në konsideratë madhësinë e vendit, ekonominë dhe popullsinë e tij. 15 mijë e 600 do të vijnë nga Italia, 50 mijë e 400 nga Greqia dhe 54 mijë nga Hungaria.

Top Channel