Reshje shiu në jug, moti i mirë kthehet në fundjavë

10/09/2015 13:40

Masat ajrore që prekin vendin tonë dhe shkaktuan reshje shiu një ditë me parë nuk rrezikojnë përmbytje në zonën jugore të vendit ashtu sikurse parashikojnë sitet meteorologjike të Greqisë apo Italisë, të cilët parajamëruan për stuhi shiu.

Në Shërbimin Meteorologjik Ushtarak thonë se zona më e prekur nga shirat në vendin tonëe kanë qënë ato jugore, ku janë regjistruar mesatarisht 50 mm shi, por pa shkaktuar asnjë problem.

“Sasia më e madhe e reshjeve u regjistrua pikërisht në pjesën juglindore të vendit, përkatësisht tek 50 mm shi. Reshjet vazhduan dhe gjatë natës, por nuk ishin me intensitet shumë të lartë, ishin reshje të shtuara. Gjithësesi ne pretendojmë që ato të vazhdojnë dhe ditën e sotme, dhe në mesditën e sotme dhe pasdite hyjmë në një qendër të presionit atmosferik të ulët, e cila është pozicionuar tamam në jug të vendit tonë. Presim të kemi jo vetëm reshje shiu, po pjesërisht shtrëngata dhe stuhi, reshjet të intensifikohen. Gjithësesi këto i përkasin një intervali kohor prej 12 orësh dhe nuk pretendojmë të kemi përmbytje”, thotë Mimoza Demiri, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Fundjava pritet të sjellë kthim në normalitet të vlerave, ndërkohë që reshjet mund të vazhdojnë dhe gjatë ditës së sotme dhe gjatë të premtes.

“Në fundjavë duke u nisur në dy ditët e fundit të javës ne presim përmirësim të kushteve të motit dhe ne hyjmë në një normalitet vlerash. Për efekt reshjesh, që prekën gjithë territorin e vendit dhe që me intensitet, në formën e shtrëngatës, pjesërisht stuhi, normalisht sollën dhe një rënie të temperaturave të mmesditës. Dhe jo pak, me 3-4 gradë Celcius. Nga 29 gradë që u regjistrua më e larta në Sarandë, pretendohet që sot të kapim vlerën 25. Duke nisur nga dita e nesërme, në mesditë do të kemi rritje të temperaturave. Ndërsa për temperaturat minimale nesër dhe pasnesër, do të kemi mëngjese të freskëta”, bën të ditur Demiri.

Në fundjavë temperaturat pritet të shkojnë sërish në vlerat 30 gradë, dhe i gjithe territori i vendit tonë të përshkohet nga mot i mirë.

Top Channel