“Carneiro” fut në telashe Mourinhon dhe Chelsean

10/09/2015 00:00

Jose Mourinho nuk po përjeton momentin e tij më të mirë te londinezët e Chelseat. Rezultateve zhgënjyese të këtij fillimsezoni iu bashkohen edhe polemikat e vazhdueshme me mjeken, Eva Carneiro, për shkak të së cilës ai rrezikon të akuzohet për “seksizëm”, pas asaj që ndodhi në ndeshjen mes Chelseat dhe Swanseat.

Sipas asaj që publikohet në median britanike, Eva Carneiro, e cila u përjashtua prej stolit nga tekniku portugez, ka vendosur të ndërmarrë veprime ligjore kundrejt “bluve” të Londrës, në rast se drejtuesit e kësaj skuadre nuk e rikthejnë menjëherë në detyrën e saj.

Ditën e premte është parashikuar të zhvillohet një seancë dëgjimore e Komisionit Mjekësor të FIFA-s, që do të shqyrtojë këtë rast. Sipas avokates së specializuar në të drejtën sportive, Meri O’Rurke, komentet e Mourinhos pas ndeshjes me Swansean, ku spikat përkufizimi “sekretare” për Carneiron, mund ta ndëshkojnë atë.

“Në 95% të rasteve janë femrat, ato që punojnë në pozicionin e sekretares. Kushdo që ka dëgjuar këtë frazë, mund ta ketë interpretuar sikur femrat nuk e kuptojnë futbollin”, ishte komenti i Meri O’Rurk, që nuk e fshehu zhgënjimin e saj për mosndërhyrjen e Federatës angleze të Futbollit.

Top Channel