DPT: Tatimpaguesit të raportojnë shitjet ditore edhe online, në të kundërt gjoba

10/09/2015 16:30

Përmes një komunikate për shtyp, Administrata Tatimore u ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesve në mbarë vendin në lidhje me detyrimin për të raportuar edhe online shitjet ditore në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në thirrjen drejtuar tatimpaguesve theksohet gjithashtu se ata janë të detyruar të raportojnë shitjet ditore në përfundim të orarit zyrtar të punës, për të cilët orari më i fundit i pranueshëm është vendosur mesnata, pas të cilës hyhet në datën e re pasardhëse.

Edhe nëse tatimpaguesit kanë kohë që nuk i kanë bërë transmetimet ditore në serverin online të DPT-së, ata duhet të fillojnë t’i realizojnë ato sa janë në kohë. Në rast të moszbatimit të këtij detyrimi ligjor, tatimpaguesit do të penalizohen me gjoba nga 10 mijë deri në 50 mijë lekë.

Për të gjithë shkelësit që nuk e zbatojnë këtë detyrim, Administrata Tatimore do t’ia kalojë ata për veprime të mëtejshme strukturave të Hetimit Tatimor dhe atyre të Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, si të akuzuar për veprën penale të “fshehjes së të ardhurave” dhe “evazionit fiskal”.

Top Channel