Kukës, reshjet krijojnë probleme në rrugë. Bllokohet edhe aksi Lozhan-Moglicë

10/09/2015 16:55

I gjithë Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje shiu, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje dherash e gurësh në disa rrugë rurale, duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve, probleme janë regjistruar në zonat e Shishtavecit, Kalisit, Bushtricës, Grykë Çajës, Arrnit, Lekbibajve e Valbonës, ku sasi të mëdha dherash kanë zënë trasetë e rrugëve dhe ku është dashur ndërhyrja e mjeteve të rënda për largimin e tyre.

Rikthimi i reshjeve të shiut ka ndikuar edhe në shuarjen e zjarreve, që kishin përfshirë prej ditësh disa zona të thella të Kukësit, Hasit e Tropojës, zjarre që dogjën më shumë se 120 hektarë me kullota dhe pyje.

Po ashtu, reshjet e rëna kanë ndikuar edhe në liqenin e Fierzës, pasi ujërat e mbledhura nga përrenjtë e zonës kanë rritur nivelin e ujit në basen.

Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe gurësh, e për pasojë është bllokuar momentalisht aksi rrugor Lozhan-Moglicë. Është njoftuar Zyra e Emergjencave dhe po merren masa për hapjen e saj.

Top Channel