Linja 400 kV Kosovë-Shqipëri, përfaqësues të Bankës Gjermane inspektojnë punimet

10/09/2015 18:15

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarë të lartë të Bankës Gjermane për Zhvillim kanë inspektuar punimet përfundimtare të projektit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltë Kosovë-Shqipëri.

Shefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Naim Bejtullahu, ka njoftuar për punimet e realizuara deri tani, ku përfshihet instalimi i 50 kilometrave linjë përçuese të energjisë.
 
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci dhe përfaqësuesit e institucioneve gjermane që e kanë ndihmuar këtë projekt, vlerësuan se përveç Kosovës dhe Shqipërisë edhe vendet e tjera do të kenë mundësi përfitimi nga kjo infrastrukturë energjetike.

“Një lajm shumë i mirë që në anën tonë projekti do të përfundojë brenda dy muajsh dhe po ashtu edhe nga ana e Shqipërisë presim që punimet të kryhen gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që pastaj të krijohet pika e shkëmbimit energjetik dhe diku të orientohemi nga fundi i vitit të ardhshëm apo fillimi i vitit 2017 të jetë moment i një etape të re në kuadër të bashkëpunimit energjetik Kosovë-Shqipëri”, shprehet Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Ky është investimi i vetëm më i madhi në sektorin energjetik në Kosovë deri tani. Gjermania,  përmes Bankës Gjermane për Zhvillim i ka dhënë Kosovës një mbështetje financiare për të nisur investimet në këtë projekt dhe natyrisht jemi të lumtur për këtë. Unë mendoj se më të drejtë ky projekt quhet si autostrada energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë”, thotë Ingrid Hengster, anëtare e Bordit të Bankës Gjermane për Zhvillim.

“Sektori i energjisë është njëri prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Një prej studimeve më të fundit ka treguar se pengesat dhe problemet energjetike paraqesin pengesa për investimet e huaja. Për këtë arsye Gjermania që nga fillimi, bashkëpunimin me Kosovën e ka fokusuar në sektorin e energjisë”, shprehet Angelika Viets, ambasadore e Gjermanisë në Kosovë.
 
Ambasadorja gjermane në Kosovë tha se, që nga paslufta vendi i saj e ka ndihmuar Kosovën në fushën e energjisë me 150 milionë euro. 
 
Gjatë qëndrimit në ambientet e nënstacionit energjetik në Termocentralin “Kosova B”, u nënshkrua edhe një kontratë mes sistemit të transmisionit kosovar dhe kompanisë gjermane “Siemens” për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Top Channel