Austria pezullon përkohësisht linjat hekurudhore me Hungarinë

10/09/2015 19:20

Fluksi i emigrantëve që i drejtohen Austrisë nga territori hungarez, kryesisht duke përdorur rrjetin hekurudhor, ka detyruar autoritetet austriake që të mbyllin përkohësisht linjat mes dy vendeve.

Arsyeja e dhënë nga kompania që menaxhon hekurudhat është se rrjeti hekurudhor nuk mund të përballojë fluksin.

Megjithatë, vështirë se masa e ndërmarrë nga Austria do të ndalojë refugjatët, kryesisht sirianë, që të heqin dorë nga objektivi i tyre që është Gjermania.

Masa të ngjashme të ndërmarra më herët, siç ishte përpjekja e policisë hungareze për të ndalur refugjatët që të merrnin trenin për në Austri në Budapest, kanë dështuar. Kjo çoi në nisjen e mijëra refugjatëve në këmbë drejt Austrisë, duke përshkuar mbi 150 kilometra.

Po për të njëjtën arsye, një ditë më parë ishte Danimarka ajo që pezulloi pa afat trafikun hekurudhor me Gjermaninë, por mbyllja qëndroi vetëm disa orë, pasi të enjten shërbimi u rikthye sërish.

Top Channel