Ushtria turke vendos në shtetrrethim qytezën kurde

10/09/2015 20:55

Të paktën 30 persona kanë gjetur vdekjen dhe dhjetra të tjera janë plagosur që nga nisja e një operacioni ushtarak të Turqisë në qytetin Cizre, në lindje të vendit.

Autoritetet turke deklarojnë se viktimat janë militantë kurdë të PKK, por Partia Demokratike Popullore, një parti pro-kurde thotë se të paktën 20 të vdekur janë civilë.

Rrethimi i qytetit ndodhi javën e kaluar. Të enjten forcat e policisë nuk lejuan një delegacion të Partisë Popullore Kurde që po përpiqej të futej në qytet në këmbë.

Pjesë e delegacionit ishte edhe udhëheqësi i partisë, Selahattin Demirtas, i shoqëruar nga 30 anëtarë të Parlamentit turk. Demirtas deklaroi se situata në Cizre është një krizë e vërtetë humanitare. Ai solli dëshminë e një familjeje të cilës i ishte vrarë djali 10-vjeçar e që nuk mund ta varrosnin për shkak të kufizimit të lëvizjeve të vendosura nga autoritetet.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Demirtasit i faturuan suksesin në heqjen e mundësisë së presidentit Erdogan për të patur shumicën absolute të ligjvënësve.

Që prej muajit korrik, kur palët i dhanë fund një armëpushimi të nënshkruar më herët, janë raportuar disa raste përleshjesh të armatosura mes ushtrisë turke dhe luftëtarëve kurdë të PKK-së në Turqi, Irak dhe Siri.

Top Channel