Shpërdorim detyre dhe fshehje të ardhurash, procedohen inspektorët tatimorë në Korçë dhe Fier

11/09/2015 09:45

Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj 6 inspektorëve tatimorë dhe 3 ish-punonjësve të drejtorisë rajonale të tatimeve. Burime zyrtare bëjnë të ditur se procedim penal ka nisur edhe ndaj pronarit të një hoteli.

Sipas informacionit zyrtar, Dh. L., 61 vjeç, ushtronte aktivitetin e hotelerisë pa licencë që prej vitit 2010. Procedimi penal ndaj punonjësve nisi pasi që prej 2010 e në vazhdim ata nuk kanë ushtruar kontroll në subjektin privat në pronësi të 61-vjeçarit. Mbi ta rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Edhe në qytetin e Fierit janë ndaluar dy inspektorë dhe administratori i një subjekti që fshihte të ardhurat. Bledar Velaj, 29 vjeç, dhe Ermira Sali, 35 vjeçe, inspektorë verifikimi në terren akuzohen për shpërdorim detyre. Gjithashtu, u ndalua dhe Lorenc Llaka, 39 vjeç, administratori i një pike karburanti në Fier. Mbi të rëndon akuza e fshehjes së të ardhurave.

Top Channel