Indi, 12 fajtorë për shpërthimet e 2006-ës në Mumbai

11/09/2015 10:05

Një gjykatë indiane gjeti fajtorë 12 nga 13 të akuzuar se kanë patur rol në organizimin e shpërthimeve të 2006-ës në Mumbai.

189 persona gjetën vdekjen dhe mbi 800 të tjerë u plagosën nga seria e shpërthimeve që goditi rrjetin hekurudhor në këtë qytet 9 vite më parë. Shpërthimet ndodhën në rajonet Matunga, Khar, Mahim, Jogeshwari, Borivali dhe Bhayandar. Pjesa më e madhe e trenave ishte në lëvizje gjatë kohës së shpërthimit, ndërsa dy ndodheshin në stacion.

12 personat u dënuan me akuzën e nxitjes së luftës, konspiraci dhe vrasje.

India akuzon grupin militant me bazë në Pakistan, Lashar e Taiba si autor të sulmit, por Islamabadi mohon akuzat.

Masat e dënimit pritet të njoftohen brenda javës së ardhshme, Disa prej 12 personave të gjetur përgjegjës për sulmet, mund të përballen edhe me dënimin me vdekje, në varësi të rolit të luajtur në shpërthimet gjakatare të 11 korrikut të 2006-ës.

“Do të kërkojmë ndëshkimin maksimal”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm, Raja Thakre.

Top Channel