Kosovë, arrestohen disa aktivistë të Vetëvendosjes

11/09/2015 11:45

Me 12 të shoqëruar nga Policia e Kosovës ka përfunduar të premten aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistët e së cilës shfrynë gomat e makinave zyrtare dhe vendosën fletushka me mbishkrimin “Jofunksional”.

Numrin e të shoqëruarve nga policia e konfirmoi për Top Channel zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Florie Ahmeti.

Aksioni u zhvillua në oborrin e ndërtesës së re të qeverisë, ku kanë zyrat disa ministri. Aktivistët e Vetëvendosjes u penguan nga forca policore, të cilëve më pas u erdhi në ndihmë edhe njësia speciale.

Sipas lëvizjes Vetëvendosje, aktivistët kanë bërë jo funksionale mbi 40 makina zyrtare, pasi sipas tyre shteti i Kosovës do të bëhet jo funksional nëse fillon zbatimi i marrëveshjes për “Zajdenicën”, siç e quan lëvizja Vetëvendosje Asociacionin e Komunave Serbe.
“Ne sot duam të defunksionalizojmë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafës sepse këtë qeveri Mustafa po e përdor për ta jetësuar “Zajednicën”, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës. Mustafa ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të “Zajednicës”. Edhe policia edhe gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vjen puna t’i arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Vetëvendosjes lidhur me këtë aksion.

Vetëvendosje po ashtu ka njoftuar edhe për disa aktivistë të lënduar.

Pas përfundimit të aksionit, aktivistët janë përcjellë nga efektivë dhe njësia speciale e Policisë së Kosovës përgjatë sheshit “Nëna Terezë”, deri në afërsi të zyrës së tyre.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel