Replika PS-LSI mbi raportin e CEZ, Bozdo: Erdhi nga Kryeministria

11/09/2015 00:00

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Enno Bozdo deklaroi në emisionin Top Story se raporti i avokatëve, në të cilin pretendohet se akuzohet Ilir Meta për një aferë korruptive, opozita e ka marrë nga Kryeministria.

“Në Partinë Demokratike, ky raport, ky material nuk ka ardhur nga BIRN-i, ka ardhur nga Kryeministria. Raporti është ndërtuar nga një gazetare entuziaste e Partisë Socialiste, mbështetëse e flaktë e saj dhe ka ardhur nga Kryeministria”, deklaroi Bozdo.
 
I menjëhershëm ishte reagimi në panel i përfaqësuesit të LSI-së, Sokol Dervishaj, i cili e quajti këtë deklaratë një diversion.

“Realisht ky deklarim i zotit Bozdo është i rëndë. ky është tregues i qartë që tregon se PD është fare e pashpresë. E nisën me dorëheqjen e zotit Meta, u ranë poshtë akuzat dhe tashmë kaluan tek diversioni. Kjo është qesharake dhe më vjen keq. Do doja që opozita e vendit tim të ketë një alternativë”, tha Dervishaj.

Edhe deputetja e LSI-së, Silva Cakaj, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se në PD kanë të drejtë të besojnë te Qeveria, që mesa duket bën humor me ta.

Top Channel