Erjon Braçe: Berisha favorizoi CEZ-in përmes ERE-s

11/09/2015 12:45

Deputeti socialist, Erjon Braçe këmbëngul në qëndrimin për një hetim gjithëpërfshirës në lidhje me aferat e mbledhjes së borxheve mes CEZ Shpërndarje dhe shtatë kompanive të tjera dhe vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë për uljen e çmimit me të cilin KESH i shiste energjinë kompanisë çeke.

Braçe thotë përmes rrjeteve sociale se, ka një lidhje mes këtyre kontratave dhe vendimeve favorizuese të ERE-s ndaj CEZ-it.

“Favori me CEZ me çmimet në qershor të 2012-s shtë më i madhi dhe më i shtrenjti. 0.63 lekë për kwh dhe me efekt prapaveprues me miratimin e ministrit dhe Berishës pas nënshkrimit të shtatë kontratave me shtatë kompani, ndër të cilat tre të afërta me Berishën dhe ministrin e tij të Financave”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist shton se jo vetëm njëra, por të shtata kompanitë që kanë lidhur kontratë apo janë përpjekur të lidhin marrëveshje me CEZ-in në atë kohë, janë krijuar apo kanë kërkuar të lidhin kontrata sapo janë krijuar e regjistruar si të tilla, pa patur asnjë përvojë të qenësishme më herët për të kryer këtë punë.

“Kanë qenë të lidhura ngushtë me pushtetin e Sali Berishës, ministrat e tij prej bizneseve të tjera me ta, por edhe me drejtorët e përgjithshëm çekë të CEZ-it. Kanë përfituar nga një skemë shtrënguese e Qeverisë së Sali Berishës ndaj debitorëve publikë për të marrë bonuset”, shton më tej Braçe.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë thotë se të gjitha këto shuma duhen hetuar së bashku me skemën dhe mënyrën e funksionimit të saj, që ka dërguar në llogaritë e kompanive shuma parash publike.

Më tej Braçe del tek disa vendime të njëpasnjëshme të ERE-s. Në një periudhë të shkurtër kohorë, Enti ka marrë dy vendime në favor të kompanisë çeke.

“Vendimmarrja e ERE-s në favor të CEZ-it është e dukshme dhe me dëm të madh për KESH-in dhe buxhetin e shtetit. Jo njëri rast, ai i fundit të vitit 2010 kur ERE vendosi të ulë tarifën në dëm të Furnizuesit Publik me Shumicë të energjisë elektrike dhe në favor të CEZ me 0.55 lekë për kwh, por dhe rasti tjetër, ai më i qarti dhe më i dokumentuari me shkresa ministrash, firma e vula shtetërore i qershorit të vitit 2012, kur ERE, pas miratimit të ministrit të Financave, pasi kishte hyrë në fuqi e paguhej tarifa e re 2.83 leke për kwh, vendosi të ulë tarifën në dëm të Furnizuesit Publik me Shumicë të energjisë elektrike dhe në favor të CEZ-it me 0.63 lekë për kwh”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist thtoë se ky favor u vendos nga ERE me miratimin e Sali Berishës e ministrit të Financave të asaj kohe, Ridvan Bode pasi ishin nënshkruar zyrtarisht kontratat me shtatë kompanitë për mbledhjen e borxheve.

“Gjithsa po shkruaj janë të dokumentuara. Unë i disponoj dhe dëshmojnë këtë gjithpërfshirje zyrtarësh, por edhe të një “qelbësire” që menaxhonte në hije këtë marrëdhënie, ndaj duhet hetim gjithpërfshirës për këdo”, mbyll shkrimin e tij Erjon Braçe.

Top Channel