Ministri i Asadit: Refugjatët, nga zonat e grupeve rivale të qeverisë

11/09/2015 12:45

Autoritetet siriane deri më tani kanë heshtur përballë eksodit të emigrantëve në Europë, pjesa dërrmuese e të cilëve vijnë pikërisht nga vendi i përfshirë prej vitesh në një luftë të përgjakshme civile. Por, në një deklaratë të rrallë, ministri i Informacionit në Damask, Omran al-Zoubi tha se kontinenti i vjetër duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për krizën.

Shumica e sirianëve të shpërngulur i janë larguar zonave të kontrolluara prej grupeve rivale të qeverisë, përfshirë këtu dhe vetë Shtetin Islamik, u shpreh ai. Al-Zoubi kritikoi shtetet europiane për dërgimin e terroristëve në vendin e tij, duke iu referuar në këtë mënyrë mijëra europianëve që kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut me qëllimin të luftojnë në krah të militantëve të ISIS-it.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi në dramën e refugjatëve hyri në skenë edhe Amerika me deklaratat se vitin e ardhshëm planifikon të pranojë të paktën 10.000 emigrantë sirianë, nga 1.500 që ishte deri tani shifra e refugjatëve të cilëve u është lejuar sistemimi në Shtetet e Bashkuara. Sipas ‘Neë York Times’, kjo lëvizje e Barak Obamës ishte pasojë e presionit në rritje ndaj shefit të Shtëpisë së Bardhë për të treguar se Shtetet e Bashkuara po u bashkohen përpjekjeve europiane për risistemimin e mijëra refugjatëve që i largohen konflikteve dhe varfërisë ekstreme.

Njoftimi u pasua nga një valë reagimesh që dëshmojnë sesi kjo krizë është kthyer në një tjetër çështje të polarizuar politike. Grupet e ndihmës e quajtën tepër “modest” veprimin e administratës duke pasur parasysh përmasat e ekonomisë dhe popullsisë amerikane, ndërsa nga radhët e republikanëve nuk munguan paralajmërimet se Obama po lejon të hyjnë në vend persona që mund të jenë apo dhe të kthehen në terroristë.

Top Channel