INSTAT, Filipi: 3-mujori i dytë i 2015, rritje të punësimit

11/09/2015 00:00

Një ditë pasi publikoi anketën e forcave të punës për tremujorin e dytë, ku papunësia rezultonte në nivelin e pandryshuar 17.3 përqind, Instituti i Statistikave deklaroi se ka një ndryshim të strukturës së punësimit sipas sektorëve të ekonomisë.

Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, Gjergj Filipi tha se pesha bujqësisë ka rënë dhe është rritur ajo e industrisë përpunuese.

“Rritja më e madhe e punësimit vjen nga këta sektorë: rritja në industrisë përpunuese me 15.7 përqind, ndërtimi me 15.4 përqind, shërbimet jo të tregut me 5.4 përqind dhe shërbimet e tregut me 5.1 përqind. Pesha e bujqësisë në punësim në terma vjetorë ka pësuar një tkurrje nga 43.2 përqind në 40.2 përqind në 3-mujorin e dytë të këtij viti”, deklaroi kreu i INSTAT, Gjergj Filipi.

Sipas Filipit, krahasuar me një vit më parë punësimi në ekonomi është rritur me 3.7 përqind, ndërkohë që një numër gjithmonë e më i madh indvidësh kanë kaluar nga inaktivë në kërkim të punës.

“Ndaj 3-mujorit të dytë të vitit 2014 numri i të punësuarve është rritur me 42 mijë e 601 persona, numri i personave të papunë është rritur me 4 mijë e 75 persona, numri i personave në moshën 15 deri 64 vjeç që janë jashtë tregut të punës ka rënë me 47 mijë e 473 persona”, deklaroi Filipi.

Anketën e Forcave të Punës është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve dhe siguron informacion gjithpërfshirës mbi situatën e tregut të punës. Ajo bazohet në vetëdeklarim.

Top Channel