Hetimi antikorrupsion, Llalla shton stafin e Prokurorëve

11/09/2015 13:45

Aktualisht në njësinë antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda numërohen 400 raste korrupsioni dhe grupe kriminale, dhe për këtë Prokuroria e Përgjithshme vendosi të shtojë burime njerëzore. Prej kësaj të premteje në këtë njësi do të punojnë pesë prokurorë.

Mbi këto dosje korrupsioni po kryhen veprime proceduriale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si dhe raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.

Po ashtu, në mbështetje të kësaj Njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtëpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror.

“Njësia Task-Force e Prokurorisë për Krime të Rënda, krahas numrit të lartë të procedimeve, tashmë ka mbështetjen e një numri më të madh prokurorësh, ekspertizën e specializuar të OPDAT-it dhe specialistëve vendas. Për këtë arsye, u kërkoj prokurorëve të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”, tha Llalla gjatë takimit prezantues të prokurorëve të rinj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Top Channel