Basha në familjen Doda: Sjellja e OSHEE-së, kriminale

11/09/2015 14:00

Të enjten në periferi të Tiranës, në Farkë të vogël, një familje e varfër i dha lamtumirën e fundit kryefamiljarit të vet, Arif Doda, një i papunë që u vetëvra, pasi Operatori i Shpërndarjes i ndërpreu energjinë elektrike.

Lulzim Basha që vizitoi familjen fatkeqe me dy fëmijë jetimë, e quajti kriminale sjelljen e OSHEE-së.

“Ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra se OSHEE nuk pranoi që familja të paguante këste me 20 apo 30 mijë lekë, por donte 70, që familja nuk mund t’i paguante. Dhe kështu u këput hallka kryesore e familjes, sepse shteti u soll si bande kriminale”, tha Basha.

Partia Demokratike i ka dhënë një ndihmë modeste familjes, por Lulzim Basha e di që kjo nuk është zgjidhje.
 
“Nuk është lëmosha zgjidhje. Zgjidhje është një shtet i drejtë që mendon për njerëzit e vet të pamundur që t’ua lehtësojë jetën, jo një shtet kriminal me dy fytyra, që paguan 5 milionë euro për luksin e vet”, vijoi kreu i PD-së.
 
Sipas kreut të opozitës ka ardhur koha që shqiptarët të ngrihen kunder çdo padrejtësie të qeverisë. “Të ngremë krye si njerëz të lirë për t’i dhënë përgjigjen e merituar kësaj qeverie me forcën e sovranit”, përfundon Basha.

Top Channel