Raporti i Këshillit Prokurial të Kosovës: 1770 vepra penale në sirtar

11/09/2015 14:50

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar raportin e performancës së prokurorive dhe prokurorëve për veprat karakteristike penale, ku bëjnë pjesë veprat më të rënda penale.

Drejtori i njësitit të performancës së prokurorive dhe prokurorëve, Lavdim Krasniqi, duke paraqitur raportin tha se në këto statistika bëjnë pjesë veprat penale për korrupsion, krim të organizuar, trafikimi me substanca narkotike, trafikimi me armë, kontrabandimi me migrantë dhe trafikimi me qenie njerëzore.
 
Nga ky raport del se 1770 lëndë të veprave penale vazhdojnë të mbeten në sirtarët e Prokurorive në Kosovë, por sipas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, me numrin aktual të prokurorëve nuk mund të bëhet më shumë.  
 
Për Lumezin, shqetësuese janë numri i madh i çështjeve të papërfunduara në sferën e korrupsionit dhe krimit ekonomik, sidomos në Prokurorinë e Prishtinës.
 
“Sa i përket veprave penale karakteristike që kanë të bëjnë me veprat penale që ndërlidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe kalimin e kompetencave të autorizimeve, kemi një numër të madh të lëndëve. Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës 473 lëndë dhe këtu sigurisht që duhet të ndërmerren veprime konkrete për zbutjen dhe kryerjen e këtyre lëndëve të korrupsionit”, thotë Lumezi.  
 
Lumezi propozoi që në të ardhmen e afërt nëpër prokurori duhet të caktohen prokurorë të posaçëm që do të merren me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik.
 
Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e së premtes ka miratuar propozimin e EULEX-it për emërimin e dy prokurorëve ndërkombëtarë, të cilët ia përcolli presidentes për dekretim.
 
Këshilli shqyrtoi edhe kërkesën e ish-ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha, i cili ka kërkuar t’i gëzojë privilegjet që i gëzojnë ish-zyrtarët e lartë publikë.
 
Por, anëtarët e Këshillit Prokurorial vendosën kundër kërkesës së Hoxhës, pasi sipas tyre, ai nuk ka qenë kryeprokuror i zgjedhur apo emëruar, por vetëm se për disa muaj e ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit.

Top Channel