Sekuestro preventive mbi 128 mijë m2 pyje, dokumente të falsifikuara

11/09/2015 15:30

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro mbi një sipërfaqe pyjore prej 128 mijë m2, me një vlerë prej 280 mijë euro. Vendimi i sekuestros preventive ka ardhur pas lejes së dhënë nga gjykata, pasi ka dyshime se është përfituar në bazë të dokumenteve false.

Nga hetimi i Prokurorisë së Vlorës rezulton se kjo sipërfaqe, e ndarë në disa parcela, është regjistruar nga ana e Timoleo Dhimolea, në bazë të një akti të fallsifikuar të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP). Në bazë të veprimeve proceduriale, ka rezultuar se akti i AKKP nuk ekziston dhe është tërësisht i fallsifikuar. Gjithësesi, pavarësisht kësaj, kjo pronë është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në vitin 2012.

Më tej, pasi e ka regjistruar këtë pronë në emër të tij, Dhimolea ka transferuar dy pjesë të saj, po në bazë të dokumentave të falsifikuar. Nga veprimet hetimore, rezulton se shtetasi Dhimolea i ka transferuar 3000 m2 shtetasit R.D. dhe 2000 m2 shtetasit K.R. Edhe këta shtetas, në vijim të dokumentave të falsifikuar, i kanë regjistruar këto prona në emrin e tyre në ZVRPP Vlorë.

Ndërkohë që po vijojnë hetimet për personat dhe zyrtarët e përfshirë në këtë fallsifikim, Prokuroria e Vlorë paraqiti në gjykatë kërkesën për sekuestron preventive e të gjithë sipërfaqes pyjore të regjistruar në emër të shtetasit Timoleo Dhimolea, si edhe për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve R.D dhe K.R., tek të cilët janë transferuar dy pjesë të pronësisë së Dhimoleas.

Top Channel