Kallëzim penal për Arben Ndokën, ILDKP: Fshehu 1.5 mln euro

11/09/2015 16:10

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka kallëzuar penalisht tashmë ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ndoka.

Kallëzimi penal është bërë në përfundim të një kontrolli të deklaratave të pasurisë të Arben Ndokës, ku ILDKPI thotë se është konsumuar vepra penale e fshehjes së pasurisë.

“Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare në shumën rreth 1.5 milion euro dhe për rrjedhojë subjekti Arben Ndoka është kallëzuar penalisht”, thuhet në deklaratën e ILDKP-së.

Ky institucion sqaron se, Ndoka ka refuzuar kërkesën e bërë prej tij për të dhënë shpjegime e dorëzuar dokumentacionin justifikues lidhur me burimin e pasurisë së tij, duke mos u paraqitur.

Në fund, ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale, duke mbajtur parasysh faktin që kemi të bëjmë me një person të dënuar jashtë vendit për vepra të tjera penale e që pasuria e tij, e pajustifikuar me burime të ligjshme, mund të jetë rezultat edhe i këtyre aktiviteteve.

Arben Ndoka, sipas ILDKP-së, është deputeti i dytë i Kuvendit të Shqipërisë që shpërfill ligjin dhe institucionet ligjzbatuese të shtetit duke mos dhënë shpjegime mbi burimin e pasurisë së tij.

Top Channel