Britani, refuzohet projektligji për eutanazinë

11/09/2015 17:30

Parlamenti i Britanisë së Madhe ka refuzuar me një shumicë të theksuar votash një ligj të posaçëm, që do t’u jepte të sëmurëve rëndë të drejtën për të vdekur.

Pas një debati tepër të ngarkuar mes ligjvënësve britanikë, kundërshtarët e projektligjit paralajmëruan se “miratimi i tij do të ishte njësoj si ta quanin ligjore vrasjen e njerëzve”.

Pas 4 orësh debat dhe përplasjesh, “projektligji për vdekjen e asistuar” është refuzuar me 330 vota kundër dhe 118 pro, ndërkohë që shumica e thjeshtë ishte me 212 vota, duke i dhënë kështu fund një debati që prek disa gjenerata njerëzish.

Bazuar në planin e ofruar nga deputeti Rob Marris, të rriturit me mendje të shëndoshë e që nuk mund të kishin më shumë se 6 muaj kohë për të jetuar, mund të siguronin të drejtën për të kërkuar ndihmën mjekësore për t’i dhënë fund para kohe jetës së tyre.

Kjo votë është e para që prej vitit 1997, kur Dhoma e Përfaqësuesve në Britani kishte votuar për herë të fundit për të njëjtën temë.

Jashtë Parlamentit britanik, aktivistë të të dyja palëve u përplasën me njëri-tjetrin, duke shpalosur pankarta të ndryshme dhe duke bërtitur kundër rivalëve.

Ata që ishin kundër eutanazisë thanë se rezultati ishte një refuzim i paekuivok i një ligji “tepër të rrezikshëm”. Ndërkohë, aktivistët që ishin pro fushatës “të kujdesesh nga ana mjekësore nuk vret”, thanë se “ata e bënë këtë gjë, duke dëshmuar zvarritjen e misionit siç ka ndodhur në disa vende të tjera, të cilat gjithsesi e kanë lejuar vrasjen e asistuar dhe eutanazinë, siç janë Belgjika, Holanda dhe shteti amerikan i Oregonit”.

Top Channel