Në pritje të vizitës së Papës, Kuba liron të dënuarit

11/09/2015 17:35

Kuba ka deklaruar se do të lirojë mbi 3.500 të burgosur, si shenjë e vullnetit të mirë në prag të vizitës së Papa Françeskut.

Qeveria në Havana deklaron se mes personave që do të lirohen janë kryesisht të dënuar që priten të lirohen së shpejti, për shembull vitin tjetër, si dhe shumë të huaj.

Ata që janë dënuar për krime kundër shtetit apo për trafiqe nuk do të lirohen, ashtu sikurse të burgosur të njohur politikë.

Papa Françesku do të zhvillojë një vizitë treditore në ishull javën e ardhshme. Ai pritet të takohet me ish-liderin e vendit, Fidel Castro, gjithmonë nëse këtij të fundit do t’ia lejojë gjendja shëndetësore.

Ati i shenjtë 78-vjeçar nga Argjentina thuhet se ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës dhjetorin e kaluar, vende që i dhanë fund armiqësisë pas dekadash rivalitet.

Top Channel