Siria, Rusia-Uashingtonit: Riktheni bisedimet ushtarake për të shmangur “katastrofën”

11/09/2015 17:50

Rusia i ka bërë thirrje këtë të premte Uashingtonit për të rinisur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ushtarak mes palëve, në mënyrë që të shmangen “incidentet e paqëllimshme” pranë Sirisë, në një kohë kur zyrtarët amerikanë deklaruan se Moska ishte duke grumbulluar forca ushtarake në mbrojtje të qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad.

Shtetet e Bashkuara janë duke udhëhequr një fushatë sulmesh ajrore ndaj objektivave dhe militantëve të Shtetit Islamik në hapësirën ajrore siriane, ndaj dhe një prani më e madhe ruse do të shtonte mundësitë që superfuqitë, dikur armike gjatë Luftës së Ftohtë, të përballeshin me njëri-tjetrin në këtë fushëbetejë.

Si Moska, edhe Uashingtoni kanë deklaruar se armiku i tyre i përbashkët quhet Shteti Islamik. Por, Rusia ka dalë në mbështjetje të qeverisë së Assadit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar prej kohësh se prania e tij në qeveri e bën situatën edhe më të rënduar.

Burime nga Libani kanë thënë për “Reuters” se, të paktën disa trupa ruse kanë hyrë dhe janë përfshirë në operacione luftarake në mbështetje të qeverisë së Assadit. Moska ka refuzuar të bëjë komente mbi këto raporte, të paktën deri më tani.

Por, në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka bërë të ditur se Rusia ka dërguar mjete ushtarake në ndihmë të Assadit që të luftojë Shtetin Islamik. Ushtarakë rusë janë tashmë në Siri, konfirmoi diplomati rus, që shtoi se fillimisht ata do të ndihmojnë për t’u mësuar funksionimin e mjeteve ushtarake ushtarëve sirianë.

Rusia, nga ana tjetër, po zhvillon edhe stërvitje ushtarake detare në Mesdheun lindor, të cilat ai i përshkroi si stërvitje të parashikuara prej një kohe të gjatë dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.

Lavrov fajësoi më tej Uashingtonin për ndërprerjen e komunikimeve të drejtpërdrejta ushtarake mes Rusisë dhe NATO-s (që kanë ardhur për shkak të krizës në Ukrainë), duke shtuar se kontakte të tilla kanë qenë gjithnjë “të rëndësishme për të shmangur incidente të padëshiruara dhe të paqëllimshme”.

Top Channel