Sulmet në zonat kurde, Brukseli apel Turqisë

11/09/2015 17:55

Këshilli i Evropës i ka kërkuar Turqisë që t’u garantojë vëzhguesve të pavarur akses në qytetin e sulmuar të Cizres, me shumicë kurde.

Banorët e këtij qyteti deklarojnë se nuk janë në gjendje të blejnë ushqim apo rezerva mjekësore që kur atje u vendos shtetrrethimi ushtarak.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Nils Muiznieks i ka cilësuar zhvillimet si shumë shqetësuese. Ai i bëri thirrje Turqisë që të lejojë hyrjen e vëzhguesve në Cizres, ku jetojnë mbi 100 mijë persona.

“Kam marrë të dhëna se jetesa, përfshirë këtu nevojat bazë si shëndetësia, janë bërë shumë të vështira për banorët dhe se hyrja apo dalja nga qyteti është bërë e pamundur”, deklaroi Muiznieks.

Por më urgjente, sipas zyrtarit evropian, kanë qenë të dhënat për një përdorim të ekzagjeruar të forcës nga ushtria turke ndaj civilëve.

Turqia ndërmori një operacion kundër militantëve kurdë në Cizre të premten e kaluar, në të cilin u vranë të paktën 19 persona.

Ministri i Brendshëm turk, Selami Altinok dekalroi se shtatë të dyshuar si rebelë mbetën të vrarë nga sulmi, ndërsa pjesa tjetër, 12, mendohet të jenë civilë.

Mungesa e numrit të saktë të viktimave ka shkaktuar shumë debate jo vetëm mes Ankarasë zyrtare dhe Brukselit, por edhe brenda vetë Turqisë.

Top Channel