Rama takon kryeministrin e Bavarisë, Seehofer: Azilantët shqiptarë s’kanë shanse

11/09/2015 18:05

Kryeministri Edi Rama është takuar me homologun e tij të landit të Bavarisë, Horst Seehofer, në kuadër të vizitës që është duke zhvlluar në Gjermani.

Referuar njoftimit zyrtar të qeverisë së Bavarisë, një ndër temat kryesore që është diskutuar mes dy kryeministrave ka qenë ajo e azilkërkuesve.

Mësohet se kryeministri Seehofer ka thënë se Shqipëria mbetet një vend i origjinës së azilkërkuesve, por shanset e pranimit të kërkesave të tyre është thuajse zero.

“Numri i madh i shqiptarëve që aktualisht vijnë në Gjermani nuk është as në interes të Shqipërisë e as në interesin tonë. Këtu bëhet fjalë për refugjatët që vijnë nga vende si Siria, që kanë nevojë për këtë mbrojtje dhe kujdes, por jo nga Ballkani ku nuk ka arsye të tilla”, mësohet të ketë deklaruar Seehofer.

Më tej në këtë takim u nënvizuan raportet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kryeministri Rama tha se potenciali i bashkëpunimit mes dy vendeve është jashtëzakonisht i madh dhe në këtë kuadër, bashkëpunimi i nisur në fushën e arsimit profesional, ku Shqipëria ka implementuar sistemin dual të edukimit, është tejet i rëndësishëm për të dyja vendet.

Ndërsa kryeministri Seehofer deklaroi: “Shqipëria dhe Bavaria kanë marrëdhënie politike dhe ekonomike të shkëlqyera. Për këtë arsye unë i jam shumë mirënjohës kryeministrit, i cili na vizitoi sot, në mënyrë që ne t’i thellojmë marrëdhëniet që kemi. Ai më ka ftuar në Shqipëri dhe e ka paraqitur Shqipërinë kaq bukur, saqë unë jam vërtet shumë kureshtar dhe do ta vizitoj këtë vend”.

Gjithashtu, Seehofer premtoi se, “ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria në një kohë të parashikueshme të ketë një perspektivë drejt Europës dhe drejt BE-së”. 

Top Channel