Në “inbox”-et e Borës, Gentit, Ilirit dhe Rezit

11/09/2015 18:35

Dita e tyre nis dhe mbaron në Facebook. Rezart Cenaj, Bora Feri, Genti Minga dhe Ilir Kapllani lundrojnë çdo ditë në ujërat e rrejteve sociale, duke komentuar, pëlqyer apo shpërndarë ngjarje.

BORA FERI – Bora ka studiuar drejtësi në Angli dhe Zvicër. Pas disa vitesh në praktikën e ligjit, ajo u kthye në vendlindje për t’u marrë me diçka krejt tjetër, e që po ia del me sukses. Bora ka një ves që – siç e quan vetë, – është deformim profesional: i pëlqen shumë të flasë dhe të shkruajë.

Për këtë shfrytëzon pa pagesë llogarinë e saj personale në Facebook. Shqetësohet shumë për fenomene sociale dhe, mirë që nuk është ministre e Rinisë, sepse do të zgjidhte më shumë probleme sesa ka ky vend.

Burimet në Facebook raportojnë se i pëlqejnë sporti, udhëtimet, si dhe shëtitjet fizikisht sfilitëse me biçikletë në kodrat e Tiranës. Lutet që aty të mos bëhen pallate.

GENTI MINGA – Në Facebook gjendet me emrin Gënti Minga, por në regjistrin e Gjendjes Civile nuk ekziston ky emër. Kur flet për veten, thotë se është një kombinim i rrallë i bukurisë, zgjuarsisë dhe mirësisë.

Harron të përmendë modestinë: edhe pse është diplomuar për Gazetari, e mban veten për me shkollë të mesme. I pëlqen të japë mend, por nuk e pranon. Si gazetar me eksperincë në median e shkruar, radio e televizion ka shumë adhurues, ku mes tyre nuk mungojnë as mushkonjat.

Qëndron larg veseve që të shkurtojnë jetën, si duhani dhe alkooli. Ka një ankesë zyrtare ndaj lokaleve të Bllokut, pse nuk shërbejnë çaj dhe kafe pas orës 19:00.

REZART CENAJ – Rezarti ka studiuar menaxhim dhe administrim biznesi në universitetet e jashtme. Është kurdoherë i pranishëm në gazeta, apo edhe në rrjetet sociale, me opinione për çështje të ndryshme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pasi jetoi më shumë se një dekadë larg atdheut, ai u kthye sipas parimit “të gjithë kthehen në vendin që i përkasin”. Në Shqipëri i pëlqen numërimi i votave dhe herë pas here merret me bamirësi. Dilema më e madhe është, përse shokët e tij të martuar ia kanë regjistruar numrat e telefonit Rezi 1, Rezi 2, Rezi 3…

ILIR KAPLLANI – Iliri, prej 40 vitesh ushtron me dëshirë dhe pasion profesionin e kuzhinierit. Së fundmi ka zbuluar një vend mjaft të veçantë për “të gatuar” fjalë apo foto: ka gjetur Facebookun. I pëlqen të lexojë e të dëgjojë muzikë, por jo njëkohësisht.

Udhëton shumë, sepse dëshiron të shohë vende të reja, megjithëse mendja i rri gjithmonë në Shqipëri. Ka firmosur një marrëveshje të kahershme me të vërtetën dhe thotë se nuk i ndahet, edhe pse janë ndërruar sistemet politike, për të cilat është mjaft kritik. Ka mbaruar gjimnazin e thotë se, për arsye absurde, nuk iu dha mundësia të studionte në universitet.

Top Channel