Flamuri i Palestinës në selinë e OKB-së, Shqipëria voton pro

11/09/2015 18:40

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 119 vota pro, 8 kundër dhe 45 abstenim, një rezolutë të parqitur nga disa vende të BE-së dhe Ligës Arabe, që në selinë e Kombeve të Bashkuara të valëviten edhe flamujt e shteteve të Palestinës dhe Vatikanit, shtete këto që nuk janë anëtare të OKB-së.

Në krah të 119 shteteve, që votuan pro është rreshtuar edhe Shqipëria, së bashku me Belgjikën, Francën, Italinë, Spanjën, Luksemburgun, Suedinë dhe një sërë shtetesh të tjera. Ndërsa në 8 vendet që kanë votuar kundër rezolutës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe natyrisht Izraeli.

Ajo që bie në sy në këtë votim është se, mes 45 vendeve që abstenuan rrethohen fuqi të mëdha europiane, si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, por edhe të gjithë shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.

Rreshtimi i Shqipërisë në krah të vendeve që votuan pro valëvitjes së flamujve të Palestinës dhe Vatikanit, pasi ishte një votim i vetëm për të dy shtetet, u prit me habi në Shqipëri, por burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se, ky votim nuk nënkupton anëtarësimin e Palestinës në OKB, por thjesht valëvitjen e flamurit të saj në selinë e këtij institucioni.

Të njëjtat burime pohuan për Top Channel se, ky votim dhe kjo rezolutë mund të përdoret në të ardhmen si një precedent për të sjellë një rezolutë të ngjashme për Kosovën, në mënyrë që flamuri i këtij shteti të mund të valëvitet në selinë e Kombeve të Bashkuara, në New York.

Ndërkaq, me anë të një njoftimi zyrtar, Ministra e Jashtme ka komentuar votën e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria votoi në favor të kësaj nisme, ashtu si dhe 118 vende të tjera. Aktualisht, vendet që gëzojnë statusin e jo-Anëtarit Vëzhgues në OKB, janë Palestina dhe Vatikani. Ministria e Punëve të Jashtme sqaron se, qasja e Shqipërisë nuk përbën asnjë ndryshim qëndrimi të politikës sonë të jashtme. Shqipëria i përmbahet në mënyrë konsistente qëndrimit të saj, për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme mbi parimin e dy shteteve. Çdo spekulim tjetër është dashakeq dhe dëshiron të shtrembërojë këtë qëndrim konsistent të shtetit shqiptar”, mbyllet reagimi i Minitrisë.

Top Channel