Të lirshme dhe të shkujdesura, femrat pariziene nuk shquhen vetëm si ndjekëse të “alta moda”-s apo kujdesin ndaj lëkurës e flokëve, por ato dallohen më së shumti për filozofinë e tyre të të jetuarit. Për një pariziene, stili i saj i jetës i ngjan një filmi, ku duhet të ketë gjithmonë një fillim, një mes e një fund, por jo domosdoshmërisht sipas kësaj renditjeje.

Por nga buron gjithë kjo moskokëçarje e parizieneve?

Të sigurta, romantike të përjetshme, me tone ironike, por edhe të gatshme për ta shijuar jetën kurdoherë, mesa duket ato kanë vendosur që koketerinë e tyre ta “injektojnë” kudo.

Elda Dervishi është dentistja 28-vjeçare, e cila pasi lexoi librin “4 mikesha pariziene”, ndryshoi shumë nga vetja. Sot, ajo e ndien veten pariziene në shumë gjëra që bën.

“Si të jesh pariziene, kudo që jeton” ka qenë libri më i lexuar gjatë kësaj vere nën çadër, ku këshillat pikante “alla pariziene” kanë filluar të imitohen a të ndryshojnë stilin e të menduarit të shumë prej lexuesve.

Megjithatë, jo vetëm femrat janë kaq të dhëna pas kësaj letërsie. Ka edhe meshkuj që e shijojnë çdo faqe të këtyre librave në pasditet verore. Çfarë është për ta përzgjedhja e këtyre librave? Perceptim më i mirë për gjininë tjetër, apo thjesht lexim për të qenë të përditësuar me librat më “in” të kësaj vere?

Plazhi, dielli dhe një libër i lehtë “për t’u përtypur” funksionon më së miri si terapi për disa. Librat rozë, me romancë ose fund të lumtur, kanë qenë ndër më të preferuarit buzë detit, gjatë kësaj vere, ku ndonjëherë të rekomanduar nga miqtë, e herë të tjera të joshur nga “trendy”, kemi lexuar më shumë se një të tillë.

Por ka edhe njerëz, që e lexojnë letërsinë që konsiderohet “soft”, jo vetëm gjatë muajve të verës, por gjatë të gjithë vitit.

Ajo është 55 vjeç, nënë e 4 fëmijëve dhe ka gjetur kohë të lexojë jo pak, por 295 libra të letërsisë rozë në harkun kohor të një viti e gjysmë. Për Florida Sinanin, libri e çon në ato vende, të cilat nuk ka pasur mundësi t’i shohë kurrë.

Ftues në një realitet tjetër, për Floridën librat janë të pandashëm në axhendën e saj të përditshmërisë. Ajo nuk di të jetë vetëm një amvisë e mirë, por edhe një lexuese ëndërrimtare.

Letërsi rozë ose jo, mesa duket të gjithë shqiptarët e kanë pasur një libër në valixhen e tyre të pushimeve.

Top Channel