Kosova, në axhendën e UNESCO-s. Thaçi: Diplomacia serbe s’na ndali dot

11/09/2015 19:25

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar se një numër rekord i shteteve e kanë përkrahur futjen në axhendë të Këshillit Ekzekutiv, kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësi në UNESCO.

“Nga sot, jemi në axhendën zyrtare. Shumë sfida na presin, por rrugëtimin tonë diplomacia serbe nuk e ndali dot me makinacione procedurale dhe propagandë negative, edhe pse tentuan. Falënderoj shumë 44 shtete qe kanë nënshkruar së bashku kërkesën për anëtarësi, falënderoj ambasadoren Kadare dhe ekipin tonë për punë të palodhshme, këto javët e fundit”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Kryediplomati kosovarë ka thënë se UNESCO për Kosovën paraqet një platformë për zhvillimin e arsimit, shkencës, kulturës, ambientit, shprehjes së lirë dhe mbrojtjes së trashëgimisë për fëmijët kosovarë.

Top Channel