“Republika” e Preshevës; sot shpallet Asociacioni i komunave shqiptare

11/09/2015 21:20

Deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë paralajmëruar shpalljen e një Asociacioni të qyteteve shqiptare dhe formimin e komunave të reja, në mënyrë të ngjashme me serbët e Kosovës.

Por, si kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ashtu dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, kanë deklaruar se shqiptarët “po luajnë me zjarrin”.

Gjithsesi kjo, për një pjesë të partive politike duket se nuk është shqetësuese, pavarësisht se e kthejnë vëmendjen sërish te konfliktet.

“Atëherë kur dy qeveritë e Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar, kanë arritur një pajtueshmëri për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Republikën e Kosovës, përse të mos formohet edhe një Asociacion i komunave shqiptare në Luginën e Preshevës, që do të ketë kompetencat dhe zhvillimet absolutisht proporcionale dhe reciproke siç do të ketë në të ardhmen asociacioni serb në Kosovë”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Shoqëria civile dhe Partia për Veprim Demokratik thonë se, megjithatë, në një organizim kaq të shpejtë dhe pa konsultime, kjo është vetëm një lojë politike në dëm të shqiptarëve të Serbisë.

“Duke pasur parasysh rrethanat dhe aktet politike që po ndodhin, ky është një akt në favor të vetë serbëve të Kosovës, një zbutje e ‘Zajednicës’ në Kosovë, ndërsa për qytetarët e Preshëvës përbën një dëm, të cilin po e humbim politikisht si të tillë”, deklaroi Enkel Rexhepi, nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

“Ti kërkon një Asociacion dhe ligji aktual ta mundëson. Ku ka logjikë nga pushtetet lokale të mos ftohen ta përkrahin këtë nismë dhe njëkohësisht është dashur patjetër të ndërtohet fillimisht dokumenti, ku rregullohen fushat, në të cilat do të jenë kompetencat e këtij asociacioni dhe me çfarë niveli. Të gjitha këto gjëra nuk janë përgatitur deri më tani”, tha Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë.

Mbledhja e së shtunës ka zgjuar interesim në Serbi, duke u konsideruar si një tjetër provokim i radhës. Me ligjin në Serbi, dy komuna mund të kenë Asociacion, por jo me kompetenca të mëdha.

Top Channel