Evenimentet që përkujtuan 11 Shtatorin në Shtetet e Bashkuara

11/09/2015 00:00

Dy momente heshtje janë mbajtur në Nju Jork, në momentin e saktë kur 14 vjet më parë dy avionët e devijuar nga kursi u përplasën me Kullat Binjake.

Familjarë të viktimave të sulmeve të vitit 2001 lexuan emrat e të dashurve të tyre në vendin e njohur si Ground Zero, aty ku dy kullat u rrëzuan.

Ndërkohë, një flamur u ngrit në një ceremoni të mbajtur në selinë e Pentagonit në Virxhinia, ku një avion i tretë u përplas, duke vrarë 184 persona.

Në Shenksvill të Pensilvanisë, ku një avion i katërt u rrëzua, sekretari i Sigurisë së Brendshme Jeh Johnson deklaroi se pasagjerët e fluturimit të United Airlines 93 shpëtuan qindra mijëra jetë duke sakrifikuar jetën e tyre.

Ndërkohë, flamuri u ngrit në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Obama dhe Zonja e Parë, Michelle qëndruan për një minutë në heshtje, para se të niseshin për t’u takuar me anëtarë të forcave të armatosura në bazën Fort Meade, në Merilend.

“14 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit nderojmë ata që kemi humbur. Përshëndesim ata që garantojnë sigurinë tonë. Sot ngrihemi më të fortë se kurrë”, shkroi më herët presidenti amerikan në rrjetin social Twitter.

Zëvendëspresidenti Joe Biden mbajti një fjalim në eventin përkujtimor në Nju Jork bashkë me guvernatorin Andrew Como dhe këngëtarin Billy Joel. Ai mbërriti në vendin ku ishte organizuar ceremonia duke buzëqeshur dhe duke përqafuar njerëzit.

Sulmet e 14 viteve më parë, të cilat tronditën mbarë botën e qytetëruar, u morën jetën rreth 3 mijë personave, mbi 2700 prej të cilëve vetëm në Nju Jork, nga rënia e kullave të World Trade Center.

Top Channel