“US Open”, Serena shokohet në gjysmëfinalen ndaj Vincit

11/09/2015 00:00

Shpresat e Serena Williamsit për të siguruar një tjetër trofe në “Grand Slam”-in “US Open” u shuan në një mënyrë tepër befasuese falë mrekullisë së bërë realitet nga tenistja italiane, Roberta Vinci në gjysmëfinalen e zhvilluar mes tyre.

Vinci, e cila renditet në vendin e 43-të në botë dhe që zbriste për herë të parë në një gjysmëfinale “Grand Slam”-i, shkaktoi surprizën më të madhe të këtij turneu të sivjetshëm, duke fituar setet 2-6, 6-4 dhe 6-4. 33-vjeçarja William ishte vetëm dy fitore larg kompletimit të 4 trofeve më të mëdhenj për vitin 2015.

Vinci, 32 vjeç, do të luajë ndaj bashkëkombases së saj, Flavia Pennetta, në finalen e së shtunës në “Flushing Meadows”. Tenistja amerikane u ka mbijetuar 11 seteve finale në 25 ndeshje të zhvilluara për një trofe të madh gjatë 2015-s, por në hapin e 12 u përball me një kundërshtare që thjesht rezultoi më e fortë në këtë përballje.

“Ishte një përballje e pabesueshme, – tha italianja. – Humba setin e parë dhe u përpoqa thjesht të qëndroja në lojë pas çdo pike. Doja të isha e përqëndruar dhe jo të mendoja se çfarë do të bënte Serena. Ky është momenti më i bukur i jetës sime”.

Williams mbetet kampione në fuqi në 4 trofetë e tjerë të mëdhenj, por dështoi të kompletonte atë që është arritur vetëm prej Maureen Connolly në vitin e largët 1953, nga Margaret Court në 1970-n, si dhe nga Steffi Graf në 1988-n.

Top Channel