Presidencialet në SHBA, Rick Perry tërhiqet nga gara

12/09/2015 01:50

Ish-Guvernatori i Teksasit, Rick Perry ka tërhequr kandidaturën për President të SHBA-ve. Ai dështoi të ishte një kandidat i denjë në këtë garë, duke ngelur shumë mbrapa në sondazhe.

Fillimisht, Perry ndaloi se paguari stafin e tij që merrej me fushatë në shtetin e Ajoas, ku tashmë ai dukej si i dalë nga gara për shkak të mbështetjes së pakët.

Rick Perry u tërhoq nga gara edhe në vitin 2012 pas disa gafave, ndërsa edhe këtë vit ishte shumë dobët në debatet e para që u organizuan. Ai tentoi të fliste për emigracionin, duke kundërshtuar idenë e ashpër të Donald Trump, por refuzoi t’i përmendte emrin.

Në fillim, Perry, që drejtoi shtetin e dytë me numrin më të madh të banorëve në Amerikë, shihej si njëri nga kandidatët kryesorë për të garuar në emër të republikanëve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Mirëpo, kandidatët si Donald Trump dhe Ben Carson shpejt e eklipsuan, duke bërë që ai të mos shihej si njëri nga kandidaturat më të forta.

Në garë tani janë 16 republikanë dhe 5 demokratë.

Top Channel