Bilanci kundër informalitetit, 50 për qind më shumë kuponë të lëshuar

12/09/2015 11:15

Dy shtyllat kryesore të operacionit antiinformalitet, Tatimet dhe Inspektoriati i Punës, bënë publike rezultatet e katër ditëve të para të aksionit në terren.

Nga 13.532 kontrolle, grupet e inspektimit kanë gjetur 186 biznese të paregjistruara, ndërsa në 1968 subjekte të licencuara janë konstatuar shkelje si, mospajisje me kasa fiskale, moslëshim i kuponit tatimor apo punonjës të pasiguruar.

Drejtorja e Tatimeve thotë se deri më tani janë 1440 binzese të gjobitura, për 590 të tjera është marrë masa e konfiskimit të mallit, ndërsa për rastet kur biznesi ka aplikuar për kasë i është lënë afat për vendosjen e pajisjes fiskale.

“Nga data 1 shtator deri në datën 10 shtator ka pasur rritje me 50 për qind të kuponave të lëshuar ose 5.6 mln kupona në numër dhe një rritje të vlerës së tatueshme 6.6 milionë dollarë. Kjo është një shifër shumë mbresëlënëse për ne, shumë që do të ndahet në bazë të NIPT-it dhe përcakton qarkullimin vjetor të biznesit”, deklaroi kreu i Tatimeve, Brisida Shehaj.

“Nga 13.532 subjekte të kontrolluara kemi gjetur 325 punonjës që punonin në të zezë, punë informale, që janë vendosur në skemën e kontributeve shoqërore”, deklaroi kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli.

Shehaj dhe Ylli thonë se janë 400 grupe inspektimi të pajisur me ortofoto që po ushtrojnë kontroll në 600 minizona në terren. Por çfarë po ndodh me sektorë të rëndësishëm në vend, të cilët kanë qene shpesh burim evazioni?

“Ajo që po ndodh është që të gjitha grupet e punës janë në krye të detyrës 100 për qind. Ajo që mund t’iu them për hetime të thelluara që janë, ne po hetojmë transaksione bankare të lidhura me njëra-tjetrën, sidomos me Kinën dhe kur them Kinën kemi dy probleme kryesore, kromin, eksporti me Kinën dhe importi nga Kina është shumë i lartë. Është kjo pjesa më e madhe e evazionit perpos naftës, deklarimi i kromit…”, tha Shehaj.

Drejtorja e Tatimeve siguroi qytetarët për seriozitetin e operacionit kur dha një argument për këtë.

“Mua, njeri me zor nuk më mori në punë. Isha mirë atje ku isha, kisha trefishin e pagës dhe erdha këtu për një ideal, për të thënë që ky vend bëhet”, tha Shehaj.

Top Channel