HEC-i i Banjës, Gjiknuri përuron shtëpi të reja

12/09/2015 11:30

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri përuroi të premten fillimin e punimeve për ndërtimin e shtëpive zëvendësuese për familjet që preken nga programi i risistemimit në kuadër të projektit hidorenergjetik të Devollit.

Edhe pse nuk është një detyrim që rrjedh nga kontrata, Devoll Hydropower po ndërton 15 shtëpi të reja për strehimin e familjeve të cilave u preket shtëpia ekzistuese, për shkak të ndërtimit të hidrocentralit të Banjës. Ministri vuri tullën e parë për ndërtimin e këtyre banesave të cilat pritet të jenë gati brenda 6 muajve. Gjiknuri tha se ky është një model i ri i të bërit biznes në Shqipëri.
 
“Bëhet fjalë për një projekt për herë të parë origjinal në Shqipëri që një investitor privat merr përsipër të kompensojë jo vetëm financiarisht por të ndërtojë shtëpi për njerëzit që mund të shpërngulen nga përmbytja që do të ndodhë për shkak të basenit që krijohet. Ky është një projekt me të gjitha standardet, siç i kërkojnë standardet më të mira ndërkombëtare, ku popullata jo vetëm kompensohet por dhe gjendnen mënyra për t’u sistemuar që jeta e tyre të mos shkatërrohet përfundimisht”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës.
 
Devoll Hydropower është gjithashtu duke zbatuar edhe programin e ndërtimit të infrastrukturës zëvendësuese që përfshin ndërtimin e rrugës Banjë-Gramsh dhe Ura e Trashovicës. Gjithashtu po investohet në rrugët e fshatrave që shtrihen pranë HEC-it. Por kjo ka marrë përsipër të zëvendësojë edhe të gjithë elementët e infrastrukturës që preken nga hidrocentrali, si shkolla e Drizës dhe Ujësjellësat e Drizës dhe Cerujës.

Top Channel