Rrëzimi i vinçit në xhami, Arabia Saudite nis investigimin

12/09/2015 13:20

 Arabia Saudite ka nisur investigimin për shkaqet që sollën rrëzimin e vinçit në xhaminë e Mekës. Bilianci i viktimave arriti në 107 persona e ndërsa dhjetëra të tjerë po kurohen ende në spital. Xhamia e njohur ndryshe si Mesxhid al Haram, është më e madhja për besimtarët e islamit.

 Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Arabisë Saudite, Sulejman Bin-Abdullah el-Amr, deklaroi se po ndërmerret një hetim për të vlerësuar shkallën e dëmit, si edhe sigurisht sigurinë e këtyre vendeve, që mbledhin miliona njerëz.

BBC citon zyrtarë arabë sipas të cilëve erërat e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar rënien e vinçit.

Po ashtu Irfan Al-Alawi, nga Fondacioni i Kërkimeve Trashëgimisë islame, i tha agjencisë BBC se Xhamia e Madhe aktualisht është e rrethuar aktualisht nga 15 vinça si pjesë e projektit për rikonstruksionin e zonës.

Një video e shpërndarë në internet, zbardh më shumë detaje për incidentin tragjik, i ndjekur nga një zhurmë e madhe si dhe panikun e besimtarëve të cilët ndodheshin brenda xhamisë.

Meka është duke u përgatitur për pelegrinazh vjetor Haxhit mysliman. Gjatë këtij muaji, deri në dy milionë njerëz pritet të mbërrijnë në qytetin saudit nga e gjithë bota.

Top Channel