Pse Rusia dhe Siria?

12/09/2015 13:40

Ditet e fundit , mediat ndërkombëtare kanë raportuar për një rritje të prezencës ushtarake ruse në Siri. Një investigim i Reuters, duke cituar burime libaneze, tregon se trupat ruse kanë filluar të jenë pjesë e operacioneve në mbështetje të forcave të regjimit sirian, një aleati të vjetër Moskës.

Nga ana e tyre, zyrtarët amerikanë kanë pohuar se disa mjete ushtarake ruse kanë zënë pozicionet e tyre në Siri këtë javë. Kjo prani e zgjeruar ushtarake mund të sinjalizojë qëllimin e Moskës për të luajtur një rol më të drejtpërdrejtë në ndihmën e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.

Për ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, prania e ekspertëve ushtarake në Siri nuk është ndonjë gjë për t’u fshehur, madje sipas tij kjo është në sajë të bashkëpunimit ushtarako-teknologjik me qeverinë e Damaskut. Por, për disa analistë, ky veprim është më i thellë dhe mund të paraqesë një ndryshim të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare.

Për Ana Borshcevskaja, analiste në Institutin e Washingtonit, në kohën kur Moska i ka prishur relatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Siria është një terren i rëndësishëm për Rusinë, sigurisht edhe një gur rezervë për Putin. Janë të shumtë ata që spekulojnë se veprimet e Rusisë nuk janë një reflektim i një strategjie të mirëfilltë, por , janë taktikat e një regjimi autoritar që dëshpërimisht po kërkon aleate për të ruajtur sundimin në botë.

Edhe në dekadën e fundit, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia është blerësi më i madh i armëve siriane. Po ashtu rreth 100.000 shtetas rusë ende jetojnë atje. Përsa i përket investimeve, kompanitë ruse kane investuar rreth 20 miliardë $ në Siri. Por kjo gjurmë është thjesht një pikë e vogël në krahasim me ndikimin dhe asetet e Shteteve te Bashkuara dhe NATO-s që tashme kanë në Siri dhe në rajon.

Top Channel