“Rrëfenja e shërbëtores”, botim ironik për luftën ideologjike

12/09/2015 14:25

Historia që ka tronditur botën e letrave vjen tanimë edhe në gjuhën shqipe përmes titullin “Rrëfenja e shërbëtores”. Margaret Atwood, autorja e këtij botimi, renditet në rangun e shkrimtareve bashkëkohore të mirëpritura jo vetëm nga lexuesit, por edhe nga kritika, ndaj Loreta Berhamit, botuesja e këtij libri nuk ka ngurruar aspak për ta sjellë në shqip këtë botim.

“Gjendemi në një të ardhme imagjinare, hipotetike, ku SHBA janë kthyer në një shtet totalitar, me një veçanti. Ndryshe nga ç’mund të imagjinohej ky totalitarizëm nuk ka ardhur nga një ekstrem i ideologjive politike, por nga një ekstremizëm fetar i krishterë”, thotë botuesja Loreta Berhami.

Libri pa dritë në vitin 1985 duke u shitur në më shumë se 35 milionë kopje e që prej atëhere duke mos dalë asnjëherë nga tregu. Interpretimi tekstual i Dhjatës së Vjetër në faqet e “Rrëfenja e shërbëtores” tregon se si nënshtroheshin kryesisht femrat duke u kthyer në qënie me funksion riprodhues. Ato gra, të cilat nuk kishin patur mundësinë të martoheshin, i priste vetëm një fat: ai i shërbëtores që rrëfen këtë histori.

„E gjithë historia është një roman, një trillim, kështu që rrëfehet nga një nga këto personazhe, nga një shërbëtore, një nga këto gratë që nuk kanë pasur shansin të futen në kasën e atyre që kanë të drejtë të martohen dhe atëherë funksioni i vetëm që ajo ka është riprodhimi. Ajo duhet të kthehet në një nënë surrogato prë të gjitha ato gra që nuk arrijnë të bëjnë fëmijë vetë dhe pastaj ta braktisë fëmijën e vet dhe tua japë këtyre familjeve“, vijon Berhami.

Shkrimtarja e vë këtë shërbëtore në përballje me sistemin, si një sfidë ndaj regjimit në luftën e paepur për ndryshim. E në botën ku jetojmë, në ditët e sotme, ku ekstremizmat fetare janë shumë të përhapura, libri ‘Rrëfenja e shërbëtores’ na bën të shpresojmë se kurdoherë ka shpresë…
 
“Libri në asnjë çast nuk thotë se si mbaron. Është një fund i hapur që na bën të shpresojmë”, thotë Berhami.

Top Channel