“Raporti” për politikanët, Raunig: Material i brendshëm informues

12/09/2015 14:55

Raporti i OSBE- së publikuar një ditë më parë në media, hartuar nga kjo organizatë dhe që përmendte emrat më të rëndësishëm të politikanëve shqiptarë ka qënë një material informues i brendshëm i OSBE-së.

Sqarimi është dhënë nga Korça nga vetë ambasadori Florian Raunig, i vënë jo pak në pozitë të vështirë çka u duk në keqardhjen që ai shfaqi kur tha se informacioni që u bë sipas tij objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike, u bë publik pa autorizim.

“Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. Dëshiroj të përsëris se përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës. Prezenca shpreh keqardhjen për shqetësimin që ky informacion mund t’u ketë shkaktuar personave të përmendur në materialin informues”, tha Raunig.

Ambasadori i OSBE deklaroi se prezenca e kësaj organizate këtu ka marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet shqiptare dhe hedh poshtë tha ai përpjekjet për t’i minuar ato.

Raporti i OSBE – së që zuri faqet kryesore të shtypit shqiptar përmendte politikanët më të lartë në vend, ndër ta kryeministrin aktual Edi Rama, paraardhësin e tij Sali Berisha, Ilir Metën për pasurinë e tyre, korrupsion, veprimtari biznesi të paligjshme ndërsa për një pjesë të deputetëve shqiptarë gjithashtu të përmendur në të, flet deri edhe për lidhje me mafian ruse. Mediat madje shkruajtën se ai iu është shpërndarë selive diplomatike në Tiranë, çka e ka detyruar  OSBE-në që pas një deklarate për mediat të sqarojë pozicionin e saj për këtë raport edhe përmes prononcimit të vetë ambasadorit nga qyteti i Korçës, ku ka shfrytëzuar për këtë një aktivitet me parlamentarët shqiptarë.

Top Channel