Aldo Bare kërkon rikthimin e Karavastasë

12/09/2015 00:00

I dënuari i përjetshëm si kreu i bandës së Lushnjes, Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i drejtohet Gjykatës së Krimeve të Rënda me një padi, nëpërmjet të cilës kërkon të drejtën për t’u ankuar mbi një vendim të Krimeve të Rënda që i konfiskoi Lagunën e Karavastasë duke ja kaluar atë shtetit.

Në Lagunën e Karavastasë, Aldo Bare pretendon se është pronari i ligjshëm i saj dhe jo shteti për një sipërfaqe prej mbi 1200 metra katrorë ndërtesa  dhe mbi 11 mijë metër katrorë truall, si edhe objekte të ndryshme.

Kjo pasuri është konsideruar si e paligjshme dhe e lidhur me veprimtarinë e bandës së Lushnjes. Me një vendim të Qeverisë në 2011-ën, kjo pronë i ka kaluar për shfrytëzim Ministrisë së Mjedisit, ndërsa nga vitet 1998 deri më 2006 rezulton si pronë e Aldo Bares.

Argumentat ku mbështetet Aldo Bare për rikthimin e Lagunës lidhen me gjykimin në mungesë të dosjes “Karavastaja”, për sa kohë, që sipas tij, të gjitha procedurat e ndjekura nga shteti, që nga sekuestrimi deri tek konfiskimi, nuk është përfaqësuar nga një mbrojtës i tij.

Mbi këtë argument, Bare shpjegon se kjo pronë i takon atij përderisa nuk janë ndjekur të drejtat për prani të barabartë të palëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Aldo Bare i thotë Gjykatës së Krimeve të Rënda se në 1998 ua  ka blerë Lagunën peshkatarëve të zonës, të cilët ishin pronarët e ish-ndërmarrjes së Peshkimit. Ai pretendon se blerja ka qenë e ligjshme dhe para noterit, ndërkohë që organi i akuzës keëmbëngul se prona është blerë nën kërcënimin e armëve.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Fran Prendi.

Top Channel