Akademia e Sigurisë, rikthehet shkolla e lartë e Policisë

12/09/2015 00:00

Është mbyllur faza e parë e dorëzimit të dosjeve nga dhjetra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët do të konkurrojnë për t’u ulur si studentë më 12 tetor, në auditorët e Akademisë së Sigurisë, që rikthehet si  shkollë e lartë pas gati dhjetë vitesh e mbyllur.

Në Akademinë e Sigurisë, që përbëhet nga dy fakultete, Fakulteti i Hetimit të Krimit dhe Fakulteti i Sigurisë Publike, si edhe një qendër shkencore, këtë vit do të ndjekin studimet 150 studentë, të cilët nga inspektorë, do të gradohen pas tre viteve si nënkomisarë.

Gjatë një interviste për Top Channel, drejtori i Akademisë, Bilbil Mema shpjegon fazat  e konkursit.

“Testi do të jetë në dy nivele, test me kompjuter dhe me shkrim dhe me gojë me komision. Të gjithë studentët që do të kryejnë studimet në Fakultetet e Sigurisë Publike dhe në atë të Hetimit, do të jenë të paguar me rrogën që ata kanë deri më tani sepse ata janë punonjës policie në vazhdim të karrierës”, thotë Mema.

Por për të gjithë ata persona që duan të hyjnë në polici, porta e parë e tyre nuk është Akademia e Sigurisë, por Shkolla e Formimit Bazë.

“Në faktultetet e Akademisë së Sigurisë nuk vjen asnjë person nga shoqëria civile që ka mbaruar shkollën e mesme. Kjo Akademi është vetëm për ata që janë në karrierë në polici dhe kanë gradën inspektor në Policinë e Shtetit, askush tjetër”, sqaron Mema.

Drejtori i Akademisë shpjegon se pas mbylljes së saj vite më parë, policisë i janë shkaktuar dëme për formimin e drejtuesve të rinj.

“Për nivelin zbatues mendojmë që kemi arritur qëllimin. Shkolla bazë e policisë është një ndër më të mirat. Kurrikula e saj është një kurrikul e modelit amerikan dhe ne mendojmë që kemi arritur që ta përsosim këtë shkollë të nivelit bazë, por mbi këtë, me kurse ne kemi dështuar, nuk kemi arritur dot që të realizojmë ngritjen në gradë vetëm me kurse. Duhet patjetër që specialistët e policisë, si të gjitha shkollat e tjera, duhet patjetër që të kenë një diplomë dhe kjo diplomë do të jetë Specialist i lartë i Sigurisë”, deklaron Mema.

Top Channel