Elton John fton Putinin në takim

13/09/2015 00:00

Elton John është i vendosur të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar me të mbi atë, që ai vetë e quan si “sjellje qesharake” të kreut të Kremlinit mbi çështjen e të drejtave të homoseksualëve.

Një raport i “Human Rights Watch” i vitit të kaluar bënte të ditur se Rusia kishte dështuar të parandalonte dhe të ndiqte penalisht dhunën me natyrë homofobike, teksa raste të tilla janë rritur së tepërmi kohët e fundit kundër minoriteteve.

Duke folur për BBC-në, Elton John, i cili mban edhe titullin më të lartë të vlerësimit në Britani “Sir”, deklaroi se do të mirëpriste bisedimet e mundshme me Presidentin Putin, “edhe pse ai mund të qeshte pas krahëve të mi dhe të më quante një idiot ekstrem”.

Këngëtari i famshëm ndodhet aktualisht në Ukrainë, ku është takuar me Presidentin e këtij vendi, Petro Poroshenko, takim gjatë të cilit ka bërë thirrje ndaj Kievit që të japë një mbështetje edhe më të madhe ndaj lezbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transeksualëve, të njohur edhe si komuniteti LGBT.

John është takuar edhe me krerë biznesesh, të cilëve u ka bërë thirrje të mos i largojnë nga puna punonjësit e këtij komuniteti. Fqinji i Ukrainës, Rusia, miratoi një ligj në qershor të vitit 2013, me anë të të cilit do të ndiqte penalisht çdo individ që do të promovonte “sjelljet homoseksuale mes minorenëve”.

Top Channel