Ukrainë, bisedimet për armëpushim me separatistët shënojnë progres

13/09/2015 00:00

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier ka bërë të ditur se, bisedimet në lidhje me zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës kanë shënuar një progres të qenësishëm, teksa fliste pas një takimi me homologët e tij nga Rusia, Ukraina dhe Franca, të mbledhur në Berlin.

Më herët, kreu i grupit monitorues të OSCE/OSBE-së kishte deklaruar se armëpushimi i rinovuar së fundi ka hapur dyert për më shumë progres politik. Rreth 8 mijë persona janë vrarë deri më tani, që kur nisën luftimet në prill të vitit 2014.

Steinmeier tha se të gjitha palët kanë riafirmuar faktin se armëpushimi i ri, i cili ka hyrë në fuqi prej mëse dy javësh, duhet të vijojë e të konsolidohet edhe më shumë. Palët ndërluftuese janë tashmë “shumë pranë” një marrëveshjeje, që do të bënte të mundur tërheqjen e armatimeve të rënda nga fronti i luftës, shtoi ai.

Një tjetër çështje që ka shënuar disi progres është edhe kuadri ligjor drejt zhvillimi të zgjedhjeve lokale në lindje të Ukrainës, gjatë muajit tetor.

Ukraina pritet të zhvillojë zgjedhjet lokale më 25 tetor, ndërkohë që separatistët në rajonet e kontrolluara prej rebelëve, Luhansk dhe Donjeck, kanë njoftuar se zgjedhjet atje do të mbahen respektivisht më 18 tetor dhe 1 nëntor. Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov u tha reporterëve në Berlin se, një marrëveshje është thuajse “90 për qind gati”, por shtoi se “djalli” fshihet pikërisht në detajet e saj.

Ministrat e Jashtëm të sipërpërmendur do të takohen sërish më 2 tetor në Paris.

Top Channel