Polici-OSHEE, evidentohen 43 raste vjedhjeje. 11 të arrestuar

13/09/2015 00:00

Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë vijuar punën me anë të grupeve të përbashkëta të kontrollit në mbarë vendin, me synimin për të evidentuar dhe për të vënë para drejtësisë autorët e vjedhjes së energjisë elektrike dhe për të ndërprerë lidhjet e paligjshme.

Gjatë javës së fundit, 90 grupe të përbashkëta kontrolli kanë kryer 4869 inspektime në terren ndaj abonentëve biznes dhe familjarë, si rezultat i të cilave janë evidentuar 43 raste vjedhjeje energjie me po kaq autorë.

Prej tyre janë arrestuar në flagrancë 11 persona, janë shpallur në kërkim 16 të tjerë, ndërsa ndiqen penalisht në gjendje të lirë po 16 persona. Gjatë së njëjtës periudhë janë ndërprerë 2123 lidhje të abonentëve debitorë, pas kontrolleve në thuajse 111 kabina elektrike.

Në fund, Policia e Shtetit dhe OSHEE mbeten të vendosur për ta çuar këtë operacion deri në fund, për të shkëputur edhe lidhjen e fundit të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike, si dhe për të përballur me forcën e ligjit të gjithë shkelësit që abuzojnë me energjinë, qofshin këta përfaqësues biznesi, individë apo edhe punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel